PSE, SI GAZETARE, PROTESTOVA KUNDËR NJË MEDIUMI?
August 27, 2026
Dje, më 17 gusht, iu bashkova një grupi protestuesish që ishin mbledhur para zyrave të mediumit online “Sinjali” në Prishtinë. Gazetarët i kanë përjetuar protestat kryesisht nga ana tjetër, me bllok në dorë, mjaftueshëm afër për të dëgjuar dhe mjaftueshëm larg për të mos u llogaritur, ndërsa dje isha brenda grupit, dhe për herë të parë prej se e ushtroj këtë profesion po protestoja kundër një mediumi.
Protesta u thirr nga “Linja e Jetës”, qendra e vetme në Kosovë për parandalimin e vetëvrasjes dhe mbështetje emocionale, njerëz që i kalojnë mbrëmjet në telefon me të panjohur, duke iu qëndruar afër në ato orë kur gjithçka duket e padurueshme, derisa kriza të zbutet sadopak, qoftë edhe për një natë.
Në rrugë i kishte nxjerrë një video që “Sinjali” e kishte publikuar më 11 gusht. Në ato pamje shihej një person në momentin kur po përpiqej t’i jepte fund jetës. Një njeri, në çastet më të errëta të jetës së tij, u xhirua, pa asnjë mundësi të vendoste nëse donte të shihej. Pamjet u ngarkuan, u titulluan, u shpërndanë dhe u komentuan nga njerëz që as nuk e njohin, dhe tani, nëse ai vazhdon jetën, i duhet të përballet çdo ditë me dijeninë se momenti kur donte të zhdukej është kthyer në momentin më të dukshëm të ekzistencës së tij. Familja, miqtë, fqinjët dhe i gjithë rrethi i tij i kanë parë pamjet. Asnjë interes publik nuk e justifikon këtë. Mbetet vetëm një medium online që ishte në dijeni se nga vuajtja mund të përfitonte klikime dhe zgjodhi klikimet.
Në thirrjen për protestë, “Linja e Jetës” përkujtoi se përtej shkeljes së privatësisë, shkenca është e qartë: hulumtues, psikologë, psikiatër dhe organizata si Shoqata Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjes dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë në hulumtimet e tyre kanë gjetur se raportimet për rastet e tilla e rrisin stigmën dhe kontribuojnë në rritjen e vdekjeve, sepse funksionojnë si shtytje.
Me parulla si “Vetëvrasja nuk është sensacion” dhe “Kush na ruan prej Sinjalit”, grupi protestues ngriste zërin drejt dritareve të katit të sipërm, nga të cilat nuk vinte asnjë shenjë, asnjë emër, asgjë që të tregonte se aty bëhet gazetari. Ajo që dukej ishte zyra e avokatit Besnik Berisha, në emër të të cilit figuron mediumi. Berisha është i njohur për ndërhyrjet publike dhe përfshirjet në disa raste të bujshme mediale të cilat kanë ngjallur vazhdimisht polemika. Ky medium tashmë e ka kthyer në zakon shpërndarjen e pamjeve të njerëzve teksa ndodhen në momentet më të cenueshme të jetës së tyre dhe publikimin e të dhënave personale që rrjedhin nga Policia, ndërsa për vete qëndron prapa dritareve në të cilat nuk figuron asnjë shenjë identifikuese e tij.
Protestuesit ishin mbledhur aty pikërisht për atë video, por edhe për të gjithë Sinjalët: për gazetarët që dalin nëpër qytet prej mëngjesit, duke kërkuar fytyrën e radhës që me të cilën do të tallet online deri në mbrëmje; për lajmet e nxjerra nga raportet e policisë me emra të plotë të qytetarëve që nuk janë figura publike; për dehumanizimin e përditshëm të pikërisht atyre njerëzve që do të duhej të ishin në qendër të storieve tona përballë pushtetit. Hallet e tyre, kur tregohen siç duhet, dëshmojnë për dështimet e pushtetit, ndërsa kur tregohen si spektakël, e lënë pushtetin jashtë kuadrit dhe brenda tij vetëm njeriun.
Ky medium e ka shndërruar veten në një polici morale që i raporton vendit çdo ditë se kush çfarë bëri, ndërkohë që për vete mbetet i padukshëm.
Shumë prej nesh u kanë shkruar drejtpërdrejt, edhe “Sinjalit”, por edhe vetë Besnik Berishës. Kur kemi të bëjmë me këto lloj raportimesh, mediet tjera herë pas here edhe i kanë marrë parasysh ankesat; “Sinjali” asnjëherë. Ankesa më e shpeshtë ka të bëjë pikërisht me publikimin e emrave të plotë, me jetët e brishta që dëmtohen për një paragraf: të rinjtë që kapen me pak marihuanë, familja zënka e së cilës shndërrohet në lajm, kurse emrat e tyre do të qëndrojnë në krye të një kërkimi në internet për aq kohë sa do të ekzistojë interneti. Ky medium e ka shndërruar veten në një polici morale që i raporton vendit çdo ditë se kush çfarë bëri, ndërkohë që për vete mbetet i padukshëm.
“Ne nuk dimë kush janë gazetarët e tyre, as kush i mbështet, por ‘Sinjali’ di gjithçka për ne”, tha në protestë Bind Skeja, psikolog dhe themelues i “Linjës së Jetës”, duke prekur kështu një problem më të gjerë, atë të mungesës së transparencës së medieve në Kosovë.
“Linja e Jetës” grumbullon një arkiv të asaj që shohim përditë, me lajme të ngjashme nga medie të ndryshme, dhe videoja e fundit është thjesht më e reja e ngarkuar në të. Nga gjithë ky arkiv veçohen tre emra të medieve, “Sinjali”, “IndeksOnline” dhe “Klan Kosova”.
“Por ‘Sinjali’ dhe ‘IndeksOnline’ garojnë me njëri-tjetrin dhe se garën e fiton gjithmonë ‘Sinjali’. Prandaj protesta nisi prej tij”, më thotë Skeja. “Nëse mundet me u ndalë, atëherë këto tjerat pasojnë”.
Një shtyp i lirë nuk përjashtohet nga kritika
Në protestë shkova shumë e vetëdijshme se çfarë kohe është kjo për gazetarinë në Kosovë dhe sa e rrezikshme është t’i vendosësh gazetarët edhe më shumë në shënjestër. Nuk do të ketë qenë e lehtë as për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), që megjithatë e mbështeti protestën. Edhe ata, si Skeja, grumbullojnë një arkiv të madh; veçse i tyri është arkiv i rasteve të sulmeve dhe deklaratave përbuzëse, frikësuese dhe nënçmuese ndaj tyre.
Liria e shtypit në vendin tonë qëndron mbi themele të brishta dhe për të qenë në dijeni për këtë fakt nuk kemi nevojë as për raportet e Reporterëve pa Kufij, e as të Këshillit të Evropës. Për atë që e kanë thënë tashmë mjafton vetëm një javë pune e zakonshme. Gjithnjë e më rrallë institucionet përgjigjen, kërkesat për qasje në dokumente zyrtare humbasin diku nga një email në tjetrin, dhe zyrtarët e politikanët i kanë gjithmonë gati të njëjtat fjalë për mediet: të papërgjegjshëm, të korruptuar, të blerë, të rremë.
Viteve të fundit, nën qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kjo situatë është përkeqësuar dukshëm dhe vetë pushteti ka përdorur një retorikë përçmuese ndaj medieve e deri te deklaratat që i paraqesin ato si vegla të armiqve të vendit apo që përfaqësojnë interesat e Serbisë. Është një gjuhë që përhapet me lehtësi, nga një medium tek të gjitha, nga Kuvendi e deri tek komentet poshtë çdo artikulli.
Do të ishte e lehtë të vihej në përfundimin se pikërisht në një kohë të tillë gazetarët duhet të heshtin për njëri-tjetrin dhe unë e kuptoj joshjen e këtij përfundimi. Por, gazetaria e justifikon lirinë e vet me misionin publik, me pretendimin se ekziston për t’u shërbyer njerëzve dhe për ta mbajtur pushtetin nën vëzhgim. Kur një medium e kthen momentin më të cenueshëm të jetës së një njeriu në material sensacional për shpërndarje, ai mision cenohet në thelb. Nëse ne, si gazetarë, nuk reagojmë kur kjo ndodh brenda profesionit tonë, bëhemi pjesë e problemit po aq sa mediumi që e shkeli këtë parim.
Gazetaria e prodhon besimin një herë në histori dhe e humb të gjithin përnjëherë.
Një shtyp i lirë nuk mund të nënkuptojë një shtyp që përjashtohet nga kritika, por pyetja kryesore është se kush gjykon. Shteti nuk duhet ta fitojë kurrë pushtetin për të vendosur se cila gazetari është mjaftueshëm e përgjegjshme për të ekzistuar, sepse qeveritë që e marrin këtë autoritet tregojnë, pothuajse në çdo rast, se gazetaria më “e papërgjegjshme” është pikërisht ajo që i heton ato. Qytetarët dhe shoqëria civile, nga ana tjetër, kanë çdo të drejtë të organizohen kundër nesh dhe gazetarët kanë detyrim të veçantë ta kritikojnë edhe atë që ndodh brenda zanatit të tyre. Liria për të publikuar gjithçka nuk është e njëjta gjë me përgjegjësinë lidhur me atë që publikojmë.
Dëmi nuk ndalet te personi në video apo te personi të cilit i publikohen të dhënat personale. Publiku rrallëherë e përjeton “median” sipas dallimeve që ne ia bëjmë mes vetes; një redaksi hulumtuese që shpenzon gjashtë muaj kohë për ta dokumentuar një abuzim dhe një medium që shpërndan një raport policor brenda pak minutash, i cili mbërrin në të njëjtin telefon, nën të njëjtin emërtim.
Gazetaria e prodhon besimin një herë në histori dhe e humb të gjithin përnjëherë. Çdo ndërhyrje e panevojshme në privatësi ia vështirëson gazetarëve hulumtues që për artikullin e radhës ta bindin një burim të frikësuar se rrëfimi i tij do të trajtohet me kujdes. E kur besimi dëmtohet, burimet hezitojnë të flasin dhe njerëzit fillojnë të supozojnë se gazetarët vijnë për të marrë diçka nga ta.
Nëse ne, gazetarët, nuk e bëjmë dallimin e qartë mes gazetarisë dhe shfrytëzimit, atë do ta bëjë pushteti, dhe nuk do të ndalet vetëm te një medium.
Ky vakum i shërben pushtetit më shumë se çdokujt tjetër, dhe pushteti e di: censura bëhet e panevojshme atëherë kur mjaftueshëm njerëz besojnë se gazetaria meriton të përbuzet, e aq më lehtë kur këto shembuj vijnë nga vetë gazetarët. Nëse ne, gazetarët, nuk e bëjmë dallimin e qartë mes gazetarisë dhe shfrytëzimit, atë do ta bëjë pushteti, dhe nuk do të ndalet vetëm te një medium. Kjo nënkupton se gazetarëve nuk mund t’u besohet dhe ky përfundim kthehet pastaj kundër vetë atij raportimi për të cilin një shoqëri e lirë ka më së shumti nevojë.
Raportimi sensacional gërryen besimin, besimi i gërryer u çel rrugën sulmeve politike, sulmet i diskreditojnë redaksitë, dhe redaksitë e diskredituara kthehen sërish te përmbajtja e pavlerë dhe tronditëse. Kështu rrethi vicioz na prek të gjithëve, edhe ata që nuk janë pjesë e tij.
Shkeljet etike të “Sinjalit” po ndodhin brenda një sistemi ku secila hallkë dështon ta përmbushë misionin e vet deri në fund: emrat e plotë të të arrestuarve rrjedhin nga Policia e Kosovës, institucioni që është i obliguar t’i mbrojë; Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), si organ vetërregullativ për mediat e shkruara dhe online, nxjerr dhjetëra vendime në të cilat konstatohen shkelje të Kodit të Etikës nga “Sinjali”, por të cilat shpërfillen sepse KMSHK nuk ka fuqi zbatuese; ndërsa Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila do të duhej t’i mbronte qytetarët nga keqpërdorimi i të dhënave të tyre personale, rrallëherë arrin te mediat, përveç disa rasteve të izoluara.
Kur vetërregullimi dhe institucionet përgjegjëse nuk dështojnë të ndërmarrin masa, qytetarët i kthehen kërkesës që shteti të ndërhyjë. Kjo krijon rrezik për mediat, sepse ndërhyrja shtetërore mund të shndërrohet lehtësisht në kontroll mbi lirinë e tyre.
“Shoqëria e spektaklit”
Është një libër i vogël, i botuar në Paris në vitin 1967, që rastet sikur publikimi i asaj videoje ma sjellin ndër mend, siç besoj se ua sjellin edhe shumë kolegëve e miqve të mi. Autori Guy Debord, në librin “Shoqëria e spektaklit”, e përdorte fjalën “spektakël” për ta përshkruar një mënyrë të tërë organizimi të jetës shoqërore, shumë përtej një bote të mbushur me imazhe. Shqetësimi i tij lidhej me faktin se marrëdhëniet mes njerëzve fillonin të kalonin përmes këtyre imazheve, kështu që tjetri na shfaqej gjithnjë e më shumë si diçka për t’u parë, konsumuar dhe qarkulluar, dhe gjithnjë e më pak si person.
Debord nuk e kishte parë kurrë telefon me kamerë dhe megjithatë vështirë se mund të gjendet një ilustrim më i qartë i asaj që përshkruante, sesa ky rast i qarkullimit të vuajtjes së dikujt, zhveshur tërësisht nga konteksti dhe i reduktuar në fuqinë e vet vizuale. Diku mes momentit të krizës dhe momentit kur videoja shndërrohet në përmbajtje – kamera, publikimi, titulli, shpërndarjet, komentet – personi në qendër pushon së qeni njeri dhe kthehet në objekt për tërheqje të vëmendjes. Askush nuk e vendos këtë. Kjo thjesht ndodh, hap pas hapi, dhe secili hap duket i vogël. Cenueshmëria shndërrohet në dukshmëri, dukshmëria në vlerë, dhe vlera matet në klikime.
Gazetat gjithmonë e kanë ditur se rastet e vdekjes, skandalet dhe poshtërimi tërheqin vëmendje. S’është rastësi se njëra nga thëniet më të njohura për industrinë e mediave është “If if bleeds, it leads” (Në shqip: Nëse ka gjak, është lajm). Këtu nuk ka asgjë të re sa i përket apetitit, thjesht ka ndryshuar shpejtësia me të cilën ushqehet. Sociologët e medieve e kishin vënë re që në vitet e ’90-a se konkurrenca mes redaksive nuk i bën domosdoshmërisht ato më të dallueshme nga njëra-tjetra, sepse secila ndjek vazhdimisht se çfarë po bën tjetra, ato përfundojnë duke raportuar të njëjtat tema, në të njëjtat forma, për ta tërhequr të njëjtën vëmendje.
Në një treg ku fitojnë rastet më tronditëse, kjo shndërrohet në një garë se kush bie më poshtë, të cilën Skeja e përshkruante para atyre dritareve, me “Sinjalin” në krye. Sot kjo garë ka tabelë të rezultateve. Analitika dhe angazhimi i audiencës u tregon redaksive në kohë reale se cili titull po klikohet, cila video po shpërndahet dhe sa gjatë po qëndrojnë lexuesit në një artikull, dhe kur këto shifra bëhen matësi kryesor i suksesit, vendimi për të mos publikuar një pamje përçmuese fillon të perceptohet si humbje e një audience që portali tjetër do ta përvetësojë dhe gjithnjë e më pak trajtohet si standard profesional. Kush u tregua i kujdesshëm të hënën e sheh të martën se çfarë i kushtoi kujdesi, në shifra të sakta.
Çka i duhet publikut të shohë për të ditur?
Në këtë klimë, ne e mbrojmë të drejtën e publikut për të ditur shumë më shpesh sesa e shtrojmë pyetjen më të vështirë: çka i duhet publikut të shohë për të ditur? Pamjet nga rastet tronditëse mund të mbartin vlerë të madhe publike kur dokumentojnë krimet e luftës, brutalitetin policor apo abuzimin institucional. Historia e gazetarisë ka dokumentuar plot pamje që dikush nuk donte t’i shihte por që u detyrua t’i shihte. Vuajtja e një individi privat, në anën tjetër, nuk bëhet gazetari me interes publik thjesht sepse dikush pati mundësi ta xhirojë. Në fund të fundit, dallimi mes këtyre të dyjave është i gjithë profesioni ynë.
Nëse vetë dukshmëria shndërrohet në produkt, nëse kamera nuk pyet se çka përbën interes për publikun të kuptojë dhe pyet vetëm se çka do publiku të shohë, ne bëhemi më pak dëshmitarë dhe më shumë spektatorë që prodhojnë spektatorë. Kjo është ndoshta pyetja që na lë Debord, më shumë se gjysmë shekulli më vonë: çfarë lloj marrëdhënieje me një qenie tjetër njerëzore krijohet nga akti i të shikuarit?
Të qëndroja para zyreve të një redaksie m’u duk situatë e pazakontë, dhe ndoshta ashtu duhet të jetë. Por parehatia nuk është justifikim për të heshtur. Protesta ishte kundër “Sinjalit”, por edhe kundër të gjithë Sinjalëve. Dhe mbrojtja më serioze e lirisë së shtypit që njoh është këmbëngulja se një liri që ia vlen të mbrohet duhet të ofrojë gjithmonë hapësirë për atë që ekonomia e spektaklit e shpërfill vazhdimisht: anën njerëzore, qenien njerëzore.
_________________________________________________________________________________________________________
Author: Dafina Halili
Featured photo: Ferdi Limani / K2.0
This article was originally produced for and published by Kosovo2.0 It has been re-published here with permission.